Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), subjekti më i vjetër politik në Kosovë, i themeluar më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë, po përballet me një moment vendimtar për të ardhmen e lidershipit të saj. Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm që mbahet sot, kryetari aktual Lumir Abdixhiku i nënshtrohet procesit të votëbesimit. Nëse ky proces rezulton me largimin e tij, partia do të emërojë kryetarin e pestë në historinë e saj 37-vjeçare. Kujtojmë se një proces të ngjashëm Abdixhiku e mbijetoi në janar të këtij viti.
Historiku i lidershipit në LDK
Deri më tani, LDK është udhëhequr nga katër figura kryesore:
• Ibrahim Rugova: Themeluesi dhe kryetari më jetëgjatë (1989–2006), i cili drejtoi partinë për 16 vjet e 29 ditë.
• Fatmir Sejdiu: U zgjodh në dhjetor 2006 dhe shërbeu deri më 7 nëntor 2010 (3 vjet e 333 ditë).
• Isa Mustafa: Drejtoi partinë për 10 vjet e 127 ditë, deri më 14 mars 2021.
• Lumir Abdixhiku: E mori drejtimin në mars të vitit 2021 dhe ndodhet në këtë detyrë prej gati 5 vjet e gjysmë.
Krahasimi i moshës mes liderëve politikë
Në moshën 43-vjeçare, Lumir Abdixhiku (i lindur më 17 prill 1983) mbetet lideri më i ri në krye të katër partive kryesore në vend, duke lënë pas Albin Kurtin (Lëvizja Vetëvendosje), Bedri Hamzën (PDK) dhe Ardian Gjinin (AAK).
Megjithatë, duke analizuar moshën e marrjes së detyrës, ai nuk mban rekordin si lideri më i ri. Për krahasim, Albin Kurti mori drejtimin e Vetëvendosjes në moshën 30-vjeçare në vitin 2005, ndërsa Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj u bënë kryetarë të partive të tyre në moshën 31-vjeçare. Nga ana tjetër, Bedri Hamza mban rekordin për moshën më të madhe në momentin e marrjes së drejtimit të një partie, pasi u zgjodh lider i PDK-së në nëntor 2025, në moshën 62-vjeçare.