Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbajtur një fjalim në qytetin e Metzit, ku ka theksuar nevojën për mbrojtjen e unitetit europian përballë sfidave bashkëkohore. Në prani të Papa Leos XIV, Macron deklaroi se Europa duhet të ruajë thelbin e saj si një forcë e paqes, pavarësisë dhe demokracisë, duke iu referuar vlerave greko-romake dhe judeo-kristiane mbi të cilat është ndërtuar kontinenti.
Sipas kreut të shtetit francez, rreziku më i madh vjen nga rikthimi i nacionalizmave dhe tendenca e vendeve për t’u mbyllur brenda vetes. Ai u bëri thirrje shteteve anëtare të shmangin urrejtjen dhe të gjejnë sërish guximin e liderëve themelues të projektit europian.
Krahas shqetësimeve politike, Macron ndau një shqetësim mbi ndikimin e teknologjisë dhe algoritmeve në shoqëri. Ai paralajmëroi se demokracia nuk është vetëm nën kërcënimin e konflikteve të jashtme, por edhe nga një "epidemi dezinformimi" dhe përçarje brenda shoqërisë. Presidenti francez argumentoi se përdorimi i rrjeteve sociale përforcon emocionet negative, duke bërë thirrje për një angazhim në mbrojtje të së vërtetës dhe dialogut ndërqytetar.