Autoritetet malazeze kanë arrestuar në Kotor një 39-vjeçar, të identifikuar me inicialet A.B., i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, i ndaluari posedon shtetësi të dyfishtë, turke dhe iraniane, dhe konsiderohet si person me profil të lartë në hetimet për sigurinë kibernetike.
Sipas akuzave të ngritura në Gjykatën e Lartë në Nju Jork, personi në fjalë dyshohet për konspiracion, mashtrim kompjuterik, hakerim dhe vjedhje identiteti. Hetimet tregojnë se që nga viti 2013, në bashkëpunim me një subjekt juridik nga Irani, ai ka kryer sulme të organizuara ndaj infrastrukturës amerikane, duke ndërhyrë në mbi 150 universitete. Dëmi total i shkaktuar nga këto aktivitete vlerësohet në mbi 3.4 miliardë dollarë.
Të dhënat e vjedhura dhe qasja në llogaritë universitare janë shfrytëzuar në favor të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe përdoruesve të tjerë iranianë.
Ky operacion është realizuar përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet NCB Interpol Podgoricës dhe autoriteteve amerikane, përfshirë FBI-në. Ministria e Punëve të Brendshme theksoi se ky arrestim është pjesë e një bashkëpunimi trevjeçar, gjatë të cilit janë lokalizuar dhe arrestuar gjithsej shtatë persona të kërkuar nga organet gjyqësore të SHBA-së.
Përditësime
Autoritetet në Mali të Zi arrestuan të enjten një shtetas të kërkuar nga SHBA për krime kibernetike. Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari përdori të dhëna të vjedhura për të sulmuar universitete me seli në Iran, ndërsa dokumentet gjyqësore e lidhin veprimtarinë e tij me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Pas kërkesës së Radios Evropa e Lirë, FBI ka refuzuar të komentojë mbi rastin.