Skuadra e Malishevës ka triumfuar me rezultat 4-0 në transfertën ndaj Llapit, në takimin e vlefshëm për xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës. Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë, u dominua nga skuadra mysafire, e cila hapi serinë e golave në minutën e 41-të me anë të Vüsal İsgändärli. Goli u konfirmua pas rishikimit në sistemin VAR.
Në pjesën e dytë, Malisheva vazhdoi epërsinë duke realizuar edhe tre gola të tjerë. Në minutën e 57-të, Xhemal Ibishi ishte i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, vendim i cili gjithashtu u mor pas shqyrtimit nga VAR. Vetëm tri minuta më vonë, në minutën e 60-të, Lorent Talla shënoi për 3-0, ndërsa rezultatin përfundimtar 4-0 e vulosi Mark Bushaj në minutën e 84-të.
Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në kuotën e 13 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e dytë të renditjes tabelare, dy pikë larg liderit, Prishtinës. Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina mbetet në vendin e tetë me 3 pikë pas gjashtë xhirove të zhvilluara. Në një tjetër ndeshje të kësaj jave, Ballkani dhe Dukagjini barazuan me rezultatin 0-0.