Klubi Manchester City ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit qendror Marc Guéhi nga Crystal Palace, në një njoftim të shpallur më 19 janar 2026 përmes rrjeteve sociale.
Guéhi, 25 vjeç dhe anëtar i rregullt i kombëtares angleze, ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare e gjysmë, që do ta mbajë në "Etihad" deri në verën e vitit 2031. Në deklaratën e tij të parë, ai u shpreh: "Jam vërtet shumë i lumtur dhe jashtëzakonisht krenar që jam lojtar i Manchester City-t. Ky transferim është shpërblimi i gjithë punës së madhe që kam bërë në karrierën time. Tani jam te klubi më i mirë në Angli dhe pjesë e një skuadre të jashtëzakonshme lojtarësh. Është një ndjesi e bukur ta thuash këtë".
Ky përforcim vjen në një moment kritik për Manchester City, që po përballet me mungesa të rënda në mbrojtje për shkak të lëndimeve afatgjatë të Josko Gvardiol dhe Ruben Dias. Trajneri Pep Guardiola e sheh Guéhi-n si zgjidhje ideale për të rikthyer sigurinë në repartin defensiv, ndërsa skuadra synon të rikuperojë diferencën me liderët Arsenal në Ligën Premier.
Mbrojtësi anglez ka luajtur 20 ndeshje në këtë sezon me Crystal Palace, ku u shndërrua në lider të prapavijës. Ai kishte qenë pranë kalimit te Liverpool gjatë verës së kaluar, por marrëveshja dështoi. Produkt i akademisë së Chelseat, Guéhi hodhi hapat e parë në profesionizëm gjatë huazimit te Swansea, para se të firmoste përfundimisht me Palace.
Me Crystal Palace, ai udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në FA Cup dhe Community Shield në vitin 2025. Ky transferim përbën një goditje për klubin londinez, fitues të FA Cup, veçanërisht pasi trajneri Oliver Glasner ka konfirmuar largimin e tij në fund të sezonit aktual.
Përditësime
Manchester City ka paguar 30 milionë paund për transferin e Marc Guéhi nga Crystal Palace.
Guéhi udhëtoi me avion privat të dielën, kryen testet mjekësore dhe nënshkroi kontratën.
Detajet kryesore:
- Pagë javore: 200,000 paund;
- City ka shpenzuar gati 500 milionë paund në 12 muajt e fundit;
- Guéhi nuk luan të martën kundër Bodo/Glimt në Champions League;
- Debut i pritshëm këtë fundjavë kundër Wolves.