Politikania franceze Marine Le Pen ka ngritur shqetësimin mbi pasojat e rënda të konfliktit të vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës. Sipas deklaratave të saj, lufta rrezikon të shndërrohet në një konflikt global nëse NATO ndërhyn drejtpërdrejt, ose në të kundërt, të kthehet në një përballje afatgjatë që mund të zgjasë për disa breza.
"Ose NATO hyn në këtë luftë dhe do të kemi Luftën e Tretë Botërore, ose do të jemi dëshmitarë të një Lufte Njëqindvjeçare", ka deklaruar Le Pen. Ajo kritikoi mungesën e vëmendjes ndaj kostos njerëzore dhe kohëzgjatjes së luftimeve, duke theksuar se konflikti aktual ka tejkaluar tashmë kohëzgjatjen e Luftës së Parë Botërore. Le Pen e përshkroi situatën në terren si një "masakër të vërtetë" dhe "të tmerrshme".
Lidhur me mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike, Le Pen propozoi zgjerimin e formatit të negociatave. Ajo vlerësoi se në këtë proces duhet të përfshihen aktorë të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë si Gjermania, Polonia dhe Turqia, ndërsa Franca mund të marrë rolin e ndërmjetësueses për të lehtësuar bisedimet për paqe.