Ish-trajneri i kombëtares franceze, Didier Deschamps, nuk do të marrë drejtimin e skuadrës saudite Al-Ahli. Pas zhvillimit të kontakteve të para, palët nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët lidhur me mënyrën e administrimit të ekipit. Pengesa kryesore në këto bisedime ishte kërkesa e 57-vjeçarit për të pasur autoritet mbi vendimet strategjike dhe sportive, një kusht që struktura organizative e klubit nuk e pranoi.
Pas dështimit të negocimit, klubi i Al-Ahli përshpejtoi kërkimet për një alternativë tjetër, duke zyrtarizuar më 6 gusht emërimin e Marino Pusic. Trajneri 54-vjeçar ka firmosur një kontratë dyvjeçare, e cila do ta mbajë atë në krye të pankinës deri në vitin 2028. Ky vendim pason largimin e trajnerit të mëparshëm, Matthias Jaissle, i cili u transferua te Newcastle United.
Didier Deschamps, i cili u largua nga posti i përzgjedhësit të Francës më 18 korrik pas 14 vitesh, kishte deklaruar më herët se po kërkonte kohë për të shqyrtuar hapat e ardhshëm në karrierën e tij. Megjithëse oferta nga Arabia Saudite ishte me përmasa të konsiderueshme financiare, trajneri theksoi se statusi i tij si agjent i lirë i lejon të presë për një projekt që përputhet me vizionin e tij profesional. Pavarësisht kësaj ndalese, Deschamps nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në të ardhmen në futbollin saudit, duke qenë se kontaktet me ligën e këtij vendi kishin nisur që përpara fillimit të Kampionatit Botëror.