Në një analizë të The Economist, thuhet se viti 2026 rrezikon të jetë një vit i vetmisë së madhe për demokracitë liberale me madhësi të mesme. Udhëheqësit perëndimorë ndihen të kërcënuar dhe të tallur nga një Amerikë, mbrojtja e së cilës u nevojitet ende, ndërsa Kina nuk ofron një alternativë miqësore.
Kryeministri i Kanadasë Mark Carney u bëri thirrje fuqive të mesme të qëndrojnë së bashku dhe të bashkëpunojnë në “koalicione të vullnetit”, gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, më 20 janar.
“Ne jemi në mes të një çarjeje, jo të një tranzicioni”, deklaroi ai. Carney akuzoi shtetet më të fuqishme se po përdorin varësitë ekonomike, financiare dhe të zinxhirëve të furnizimit si armë politike.
“Në një botë rivaliteti mes fuqive të mëdha, vendet që ndodhen në mes kanë dy zgjedhje: ose të garojnë me njëra-tjetrën për favore, ose të formojnë grupime vendesh me mendësi të ngjashme, për t’u mbrojtur dhe për të menaxhuar rreziqet”, tha ai.
Për Kanadanë, kjo do të thotë ulje e varësisë ekonomike nga Amerika. Carney përmendi partneritetet strategjike të nënshkruara me Kinën dhe Katarin.
Ai nuk pretendoi se Kina është zgjidhje magjike për varësinë nga SHBA. Mënyra se si Kina ndjek interesat e saj, duke shpërfillur vlerat, mund të tërheqë fuqi të mesme transaksionale, si ato në Gjirin Persik. Por për vendet që synojnë të mbrojnë vlerat themelore, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të jenë “parimore dhe pragmatike”, Kina ofron vetëm një mbrojtje të pjesshme.
Gjatë vizitës në Kinë nga 14 deri më 17 janar, Carney njoftonte se Kanadaja do të importojë 49,000 automjete elektrike të prodhuara në Kinë me kushte preferenciale. Kjo bie ndesh me strategjinë amerikane për të mbajtur jashtë automjetet elektrike kineze nga Amerika e Veriut përmes tarifave 100%.