Mark Samson, 24-vjeçar, rrëfeu në gjyq se goditi me grusht në fytyrë ish-të dashurën e tij, Ilaria Sulën, studente shqiptare 22-vjeçare, para se ta vriste më 26 mars 2025 në Itali. Kjo ndodhi gati një vit pas ngjarjes, gjatë një seance gjyqi ku ai akuzohet për vrasje me dashje me motive të dobëta dhe paramendim.
Pas tre orësh marrje në pyetje, ku tentoi të ndryshojë versionin dhe të ulë përgjegjësinë, Samson pranoi për herë të parë dhunën fizike. “E godita në fytyrë me grusht, nuk e di sa herë. Bërtiti pak”, tha ai. Më parë kishte deklaruar se e kishte goditur vetëm me bërryl para se ta qëllonte me thikë.
Ai shpjegoi arsyen: “Kisha lexuar bisedat e saj, u zemërova dhe e godita. Nuk ishte vetëm për mesazhet. Kisha shumë zemërim të mbledhur, nuk di çfarë më ndodhi”. Shtoi se një pjesë e mavijosjeve në dorën e tij i kishte marrë duke e goditur atë. Prokurorja i tregoi fotot e fytyrës së dëmtuar të vajzës.
Sipas dëshmisë, lidhja kishte mbaruar atë mbrëmje. “Ajo donte të më linte, por e bëra unë i pari. Më tha: ‘Po ti po më lë mua?’ Por më pas tha se për të gjithsesi kishte mbaruar”, rrëfeu ai. Ai përmendi emocione negative dhe zemërim të akumuluar, sepse gjithmonë kërkonte falje ai. Atë mëngjes, në dhomën e tij, perceptoi një ajër sfide te Ilaria Sula dhe nuk kishte parë të gjitha bisedat e saj me një tjetër.
Samson pranoi se i kishte thënë gënjeshtra vajzës, si pretendimi për dy diploma dhe mesatare 27. Para se të fliste për grushtet, babai i viktimës u largua nga salla, ndërsa nëna e ndoqi për ta mbështetur.