Në prag të shpalljes së vendimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, planifikuar për datën 16 shtator, qytetarë dhe aktivistë në Prishtinë kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Platforma “Liria ka Emër” vendosi një pankartë para misionit të EULEX-it me mbishkrimin “Populli ju shpall të pafajshëm”. Gjatë këtij aktiviteti, Flaka Fazlija, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlija, theksoi se lufta çlirimtare nuk duhet të shtrembërohet dhe se çlirimtarët nuk duhet të barazohen me pushtuesin.
Paralelisht me këto zhvillime, në lagjen Ulpiana dhe konkretisht në rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, është realizuar një mural me portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Këto vepra artistike shihen si formë mbështetjeje për të akuzuarit, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër ish-krerët janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar mbajtjen e një proteste masive më 12 shtator, e cila është titulluar “Marshi për Liri”. Procesi gjyqësor, i cili ka hyrë në fazën përfundimtare pas mbylljes së paraqitjes së provave dhe argumenteve nga palët në proces, pritet të kulmojë me vendimin e trupit gjykues më 16 shtator.