Përfaqësuesi i nismës Liria ka Emër, Ismail Tasholli, ka deklaruar se në protestën e zhvilluar të enjten në Prishtinë morën pjesë më shumë se 100 mijë qytetarë. Gjatë një interviste në emisionin Pressing të televizionit T7, Tasholli u shpreh se shifra është e rëndësishme, ndonëse nuk është realizuar një matje precize e pjesëmarrjes, përveç nëse një e tillë është kryer nga Policia e Kosovës.
Lidhur me vazhdimësinë e veprimeve të nismës, Tasholli bëri të ditur se organizata nuk ka ndërmend të ndalet. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ndërmerren aktivitete të tjera, duke theksuar se këto veprime do të variojnë nga ato më kreative deri te format radikale të kundërshtimit.