Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën këtë javë pas shembjes së një miniere koltani në Rubaya, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Shembja ndodhi të mërkurën, ndërsa numri i saktë i viktimave u bë i ditur të premten nga një përfaqësues i guvernatorit të provincës, i emëruar nga rebelët.
Lubumba Kambere Muyisa deklaroi se "më shumë se 200 persona humbën jetën nga kjo rrëshqitje, përfshirë minatorë, gra dhe fëmijë që ndodheshin në treg". Ai shtoi se disa u shpëtuan, por janë në gjendje të rëndë. Një këshilltar i guvernatorit, duke folur në kushte anonimiteti, bëri të ditur se numri i të vdekurve të konfirmuar është të paktën 227.
Rubaya prodhon rreth 15% të koltarit botëror, mineral nga i cili përpunohet tantalumi, një metal rezistent ndaj nxehtësisë, i kërkuar nga industria e telefonave celularë, kompjuterëve dhe teknologjisë ajrore. Banorët lokalë punojnë në minierë në mënyrë artizanale për vetëm disa dollarë në ditë.
Zona ndodhet nën kontrollin e grupit rebel M23 që prej vitit 2024. Sipas Kombeve të Bashkuara, ky grup ka shfrytëzuar pasuritë minerare të Rubayas për të financuar kryengritjen e tij, e cila dyshohet se mbështetet nga Ruanda. Kigali ka mohuar këto akuza.
Rebelët e armatosur rëndë synojnë rrëzimin e qeverisë në Kinshasa dhe mbrojtjen e minoritetit tutsi në Kongon Lindore. Ata kanë marrë nën kontroll territore të tjera të pasura me minerale gjatë ofensivës së shpejtë të vitit të kaluar.
Përditësime
Autoritetet lokale kanë nisur hetimin për shkaqet e shembjes së minierës së koltanit në Rubaya, për të parandaluar tragjedi të ngjashme.