Shtëpia e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare në Gjirokastër shërben si Muzeu Kadare dhe qendër për aktivitete kulturore. Në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së tij, teatri “Zihni Sako” zhvilloi mbrëmjen poetike me titull “Jetë në romanet e Kadaresë”.
Aktiviteti ndërthurri isopolifoninë, muzikën klasike dhe interpretimet e aktorëve përmes monologjeve dhe poezive nga veprat e Ismail Kadaresë. Regjisori Elton Hinaj deklaroi: «Të gjitha pjesët që u shkëputën nga veprat e tij janë një rikujtesë dhe një reflektim që duhet të kemi ndaj vlerave të çmuara dhe mesazheve që përcjell vepra e Ismail Kadaresë. Është kënaqësi që morëm pjesë në këtë aktivitet dhe uroj shumë që ky vit të jetë prezantues i veprës së tij, ndërsa po përgatisim edhe një shfaqje nga autori i çmuar Ismail Kadare në teatrin e Gjirokastrës».
Organizimet kulturore rrisin vizitueshmërinë e muzeut, duke e kthyer atë në një nga pikat e preferuara të guidave turistike të Gjirokastrës. Koordinatorja Befjola Braho u shpreh: «Përgjatë gjithë vitit kemi pasur një numër të lartë vizitorësh, si të huaj ashtu edhe shqiptarë. Ka pasur vizitueshmëri edhe në këtë periudhë dimri. Vizitorët vazhdojnë të vijnë, ata janë shumë të interesuar të mësojnë edhe më shumë për shtëpinë dhe ta shohin nga afër, pasi kanë lexuar veprat e Kadaresë dhe kjo i ka tërhequr, i ka bërë kureshtarë duke i sjellë në muze».
Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024. Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij letrare ia ka kushtuar qytetit të Gjirokastrës.