Seanca e sotme e gjyqit në Hagë, më 16 shkurt 2026, kundër katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhet në fazën e fjalëve përfundimtare, ka nisur me 40 minuta vonesë.
Ditën e sotme fillimisht vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit me kundërshtimet ndaj pretendimeve të Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS). Avokati i tij, Aidan Ellis, argumentoi se ZPS gabimisht lidh praninë e të akuzuarit në vendet e krimeve të pretenduara me kryerjen e tyre. Ai theksoi se nuk ka provë që prania e Krasniqit të ketë kontribuar në kryerjen e krimeve apo se ai ka luajtur rol në rregulloret e policisë ushtarake ku u kryen pretendimet.
"Kryerja e krimeve nga anëtarë të policisë ushtarake nuk është provë që zotëri Krasniqi të ketë luajtur rol të konsiderueshëm", tha Ellis.
Në pjesën e pasdites pritet kundërpërgjigjja e ZPS-së ndaj mbrojtjes dhe pyetjet e trupit gjykues. Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.