Protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka shënuar ditën e saj të 52-të, duke vijuar rezistencën për më shumë se shtatë javë. Pas mbajtjes së fjalimeve në zonën para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan një marshim në rrugët kryesore të Tiranës.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit shprehën kërkesat e tyre për dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe largimin e klasës së vjetër politike. Ata adresuan çështje si korrupsioni, problemet në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe mungesën e sigurisë institucionale. Thirrjet e dëgjuara gjatë marshimit përfshinë slogane si “Arresto Ballukun”, “Shqipëria kërkon Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Parlament analfabet”, “PD-PS këlyshë komunistë” dhe “Arrestoni Ramën”.
Organizatorët theksuan se kërkesat e tyre mbeten të panegociueshme. Gjithashtu, u bë e ditur se lëvizja qytetare do të vijojë me një tjetër tubim të planifikuar për datën 23 korrik, përpara ndërtesës së Parlamentit, në ditën kur parashikohet seanca e fundit plenare.