Në vijim të hetimeve për pastrim të produkteve të veprës penale, SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Mes personave të ndaluar është biznesmeni Orgest Biçaj, pronar i kompanisë Top Seven, e cila operon në tregun e automjeteve luksoze. Hetimet dyshojnë se të ardhurat e gjeneruara nga aktiviteti kriminal janë investuar në këtë biznes, duke çuar në vendimin për sekuestrimin e mjeteve në pronësi të kompanisë.
Sipas informacioneve zyrtare, për këtë rast janë lëshuar 20 masa sigurie. Një pjesë e tyre janë ekzekutuar tashmë nga forcat e policisë, ndërsa aksioni vijon në disa zona të vendit për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Përditësime
Gjykata e Posaçme ka caktuar masat e sigurisë për të arrestuarit në operacionin kundër kompanisë 'Top Seven'. Sipas SPAK, 15 persona do të qëndrojnë në 'arrest me burg', ndërsa 5 të tjerë janë lënë në 'arrest shtëpie'.