Melania Trump, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, do të kryesojë të hënën një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Kjo ndodh në kuadër të presidencës së radhës së SHBA-së në këtë organ më të lartë të OKB-së.
Sipas njoftimit, Melania Trump do të vërë theksin te roli i arsimit si mjet për promovimin e tolerancës dhe paqes globale. Kjo përbën herën e parë që një zonjë e parë në detyrë e SHBA-së kryeson mbledhjen e organit 15-anëtarësh.
Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë kritik i ashpër ndaj Kombeve të Bashkuara që nga mandati i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë. Ai i ka cilësuar ato si joefikase dhe në nevojë për reforma të thella, duke iu referuar organizatës me 198 vende anëtare.
Megjithatë, javën e kaluar Trump përdori një ton më pajtues gjatë mbledhjes së parë të “Këshillit të Paqes”, një nismë që, sipas tij, synon zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën. Kjo iniciativë nuk është përqafuar nga shumë liderë botërorë, për shkak të shqetësimeve se mund të konceptohet për të zëvendësuar OKB-në.
“Mbi të gjitha, Këshilli i Paqes do të mbikëqyrë pothuajse Kombet e Bashkuara dhe do të sigurojë funksionimin e duhur të tyre”, deklaroi Trump më 19 shkurt. “Ne do t’i forcojmë Kombet e Bashkuara. Do të sigurojmë që ambientet e tyre të jenë të mira… Do t’i ndihmojmë financiarisht dhe do të garantojmë që OKB-ja të jetë e qëndrueshme”, u shpreh ai.
Përditësime
Analistët e vlerësojnë zgjedhjen e Melania Trump si pjesë të strategjisë së Shtëpisë së Bardhë për të përmirësuar imazhin e administratës në OKB dhe për të prezantuar diplomacinë 'më të butë' të SHBA-së, sipas Telegrafit.
Reuters raporton se kjo është hera e parë që një Zonjë e Parë kryeson mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.