Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, deklaroi se shpreson të nominojë Donald Trump, presidentin e Shteteve të Bashkuara, për Çmimin Nobel për Paqe, për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen në Ukrainë.
Ajo e tha këtë gjatë një konference shtypi me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Romë. “Shpresojmë që të mund ta ndajmë këtë çmim. Besoj se ai mund të bëjë ndryshimin për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, dhe atëherë edhe ne do të mund ta nominojmë përfundimisht Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe”, u shpreh ajo.
Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Meloni theksoi se “dëshira për bashkëpunim mbetet e fortë”. Ajo shtoi se Italia dhe Gjermania janë “ndër vendet evropiane me marrëdhënie të privilegjuara me SHBA-në, pjesërisht për shkak të bazave ushtarake amerikane në territoret e tyre”.
Sipas saj, është e rëndësishme të mbahet një “qasje pragmatike, jo instinktive, ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”.
Donald Trump ka shfaqur interes për Çmimin Nobel për Paqe prej vitesh. Fituesja e vitit të kaluar, udhëheqësja opozitare venezueliane María Corina Machado, i dorëzoi së fundmi atij në Shtëpinë e Bardhë medaljen e artë të çmimit. Megjithatë, Instituti Norvegjez i Nobel-it njoftoi se çmimi nuk mund të transferohet, të ndahet apo të tërhiqet, andaj nderi mbetet formalisht i Machado-s.
Përditësime
- Giorgia Meloni dhe Olaf Scholz nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim strategjik, siguri dhe mbrojtje në samitin ndërqeveritar italo-gjerman.
- Donald Trump prezantoi projektin e ri "Komiteti për Paqe" të enjten.
- Trump u ankua për mosmarrjen e Çmimit Nobel për Paqe vitin e kaluar.