Mahmoud Hammad, 39 vjeç, gërmon me duart e tij rrënojat e apartamentit në lagjen Sabra të qytetit të Gazës, ku një sulm ajror izraelit ka vrarë bashkëshorten e tij shtatzënë dhe pesë fëmijët më shumë se dy vjet më parë.
Sulmi ndodhur rreth orës 11:30 të paradites së 6 dhjetorit 2023, kur një goditje shkatërroi ndërtesën gjashtëkatëshe ku jetonin familjet e Hammadit dhe vëllait të tij. Hammad kishte dalë pak më herët nga apartamenti për t’u ngjitur lart, duke shpëtuar kështu.
Ditët e fundit ai ka gjetur fragmente të vogla kockash, të cilat beson se i përkasin vajzës së palindur që gruaja e tij mbante në bark. Këto mbetje i ka shtuar në një kuti ku ka mbledhur copa të tjera gjatë muajve të gërmimit me kazma, lopata dhe duar.
"Nuk do t’i gjej dot të gjitha", ka thënë ai.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, rreth 8 mijë persona mbeten të varrosur nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara nga bombardimet izraelite gjatë fushatës kundër Hamasit. Gjatë sulmeve ajrore dhe operacioneve tokësore, nxjerrja e trupave ka qenë pothuajse e pamundur. Që nga marrëveshja e armëpushimit në tetor, përpjekjet për gërmim janë shtuar, por pengohen nga mungesa e pajisjeve të rënda dhe shkatërrimi masiv.
Historia e Hammadit pasqyron fatin e mijëra familjeve në Gazë, ku kërkimi për të zhdukurit vazhdon mes dheut dhe mungesës së mjeteve.