Ilir Meta, ish-president dhe kryetar i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet i paraburgosur që nga 21 tetori 2024 me urdhër të SPAK-ut dhe vendim të GJKKO-së, reagoi në rrjetet sociale kundër nismës së mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama për ndryshimin e ligjeve që prekin Reformën në Drejtësi.
Ky reagim erdhi pas paralajmërimit të Edi Ramës për nisma ligjore që mbrojnë kabinetin qeveritar dhe Presidentin Bajram Begaj ndaj masave të pezullimit nga Prokuroria e Posaçme, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut.
Në postimin e tij, Meta shkroi se kanë qenë dëshmitarë të ligjeve të miratuara në shkelje të Kushtetutës për të favorizuar biznesmenë të caktuar të lidhur ngushtë me Edi Ramën. Ai shtoi se këto akte i kanë denoncuar publikisht dhe i kanë kallëzuar në SPAK.
Meta paralajmëroi se tani po përgatiten ligje të ngjashme mbi vetë Reformën në Drejtësi, ku shqetësimi kryesor është rreziku potencial i pezullimit të Presidentit të Republikës. Ai ironizoi: "I thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës. Presidenti nuk pezullohet, vetëm nëse vendos të vetëpezullojë veten."
Postimi i plotë i Ilir Metës:
"Tani, ligje me porosi edhe mbi Reformën në Drejtësi!
Kemi qenë dëshmitarë të ligjeve me porosi, të miratuara në shkelje të Kushtetutës, për të favorizuar biznesmenë të caktuar të lidhur ngushtë me Edi Ramën.
Jo vetëm që i kemi denoncuar publikisht këto akte, por i kemi kallëzuar edhe në SPAK.
Por tani dëgjojmë se do të ketë ligje me porosi edhe mbi vetë Reformën në Drejtësi, ku "meraku" kryesor qenka rreziku potencial i pezullimit të Presidentit të Republikës.
I thoni të lexojë Kushtetutën, se u bë gazi i botës.
Presidenti nuk pezullohet, vetëm nëse vendos të vetëpezullojë veten."