Kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj pyetjeve të deputetëve në Kuvend, duke thënë se qeveria nuk është adresa ku punëtorët duhet të kërkojnë paga më të larta. Ai theksoi se marrëveshja duhet të arrihet mes punëtorëve dhe punëdhënësve.
"Paga më të larta duhet të kërkohen dhe secili që kërkon pagë më të lartë duhet të mbështetet. Por, kjo adresa nuk është Qeveria. Adresa e vërtetë duhet të jenë punëdhënësit, por edhe ata që për shtatë vite ishin Qeveri dhe e vodhën e shkatërruan këtë shtet, përfshirë punëtorët, e shantazhuan dhe e kushtëzuan biznesin. Ata janë adresa e vërtetë për protestë", deklaroi Hristijan Mickoski.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, u shpreh se partia e tij ka përgatitur ndryshime ligjore për rritjen e pagës minimale, të cilat do të dorëzohen në Kuvend. "Ne kemi përgatitur zgjidhje të reja ligjore që do t’i dorëzojmë në Kuvend. Së pari, propozim-ligj për ndryshime të Ligjit për Pagën Minimale, me të cilin propozojmë që paga minimale të jetë 600 euro neto, si dhe ngrirja e pagave të funksionarëve", tha Venko Filipçe.
Sindikatat protestuan një ditë më parë për rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera për 100 euro. Ato i dhanë afat njëjavor Kuvendit për miratimin e ndryshimeve ligjore. Nëse kërkesat nuk pranohen, paralajmëruan protesta të reja, bllokada dhe greva.