Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, gjatë ditës së dytë të samitit të NATO-s në Ankara, ka shprehur shqetësimin e tij mbi procesin e intensifikuar të armatimit të Serbisë gjatë viteve të fundit. Sipas Millanoviq, Aleanca duhet t'i kushtojë vëmendje këtij procesi.
"Përmenda atë që Serbia ka bërë kohët e fundit sa i përket armatimeve. Shpresoj që ata nuk do të marrin një aeroplanmbajtëse me rrota, pasi nuk kanë det. Por pyetja që duhet bërë është – për çfarë u duhen të gjitha këto? Raketat hipersonike janë vetëm një segment, ka shumë më tepër dhe ne do të duhet të përgjigjemi duke zhvilluar vetë aftësi të ngjashme. NATO duhet ta dijë këtë dhe është detyra ime të flas për këtë", deklaroi presidenti kroat para gazetarëve.
Lidhur me sigurinë në Evropë, Millanoviq vlerësoi se në samit po i kushtohet pak hapësirë diplomacisë. Ai kujtoi arsenalin bërthamor të Rusisë, megjithëse u shpreh se nuk beson që Moska do të guxonte të ndërmerrte një sulm ndaj vendeve evropiane.
Në lidhje me dinamikat brenda samitit, presidenti kroat vlerësoi presidentin e ShBA-së, Donald Trump, duke e përshkruar si më të drejtpërdrejtin. "Në këtë format, Donald Trump ishte më i ndershmi. Ai vjen këtu si një tregtar armësh plotësisht i vendosur dhe në këtë kuptim përfaqëson interesat amerikane", theksoi Millanoviq, duke shtuar se Trump mban një komunikim të respektueshëm me udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës.