Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prezantoi sot Skemën Kombëtare 2026 në një dëgjese me fermerë të zonave të Cërrikut, Gramshit dhe Belshit.
Skema funksionon në dy drejtime kryesore për lehtësimin e aksesit në financim. Fermerët do të paguajnë vetëm 2% interes për kreditë, pasi pjesa tjetër mbulohet nga shteti. Për ata që nuk kanë mundësi të ofrojnë pengje pasurie, garancia shtetërore mbulon deri në 70% të kolateralit të kërkuar nga bankat.
Fokus në agropërpunim
Përveç skemave të granteve dhe kompensimit të TVSH-së, viti 2026 do t’i dedikohet fuqizimit të agropërpunimit. Qëllimi është përpunimi i produkteve shqiptare brenda vendit për të rritur vlerën e shtuar në treg, në vend të shitjes si lëndë e parë.
Ministri Salla theksoi se paketa e integruar synon të shoqërojë fermerët në çdo hap, nga prodhimi në treg, duke nxitur formalizimin dhe investimet.