Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, priti në një takim zyrtar Drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin e Komisionit Europian, Valentina Superti. Ky takim shënoi kontaktin e parë mes dy zyrtarëve, ku kryefjala ishte avancimi i mëtejshëm i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Fokusi kryesor i bisedimeve ishte mbi piketat përmbyllëse të dy kapitujve të rëndësishëm të legjislacionit europian:
• Kapitulli 24: “Drejtësia, Liria dhe Siguria”
• Kapitulli 22: “Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore”
Në lidhje me këto çështje, ministri Demo vlerësoi gatishmërinë e Komisionit Europian për të ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes ekspertizës dhe asistencës teknike në sektorët prioritarë. Ministri theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së ritmit të reformave dhe nevojën për një bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, për të siguruar që vendi të përmbushë detyrimet e kërkuara në përputhje me objektivin e integrimit të vendosur për vitin 2027.
Në deklaratën e tij, ministri Demo theksoi se përmes angazhimit të ekipeve përkatëse dhe arritjes së rezultateve konkrete, po vijon puna sistematike për avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë.