Johann Wadephul, ministri i Jashtëm gjerman, udhëtoi për në Izrael më 10 mars 2026. Kjo është vizita e tij e parë në rajon që nga fillimi i sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit, dhjetë ditë më parë. Delegacioni gjerman fluturoi me një Airbus A400M të Forcave të Armatosura për shkak të masave të shtuara sigurie lidhur me sulmet e vazhdueshme me raketa dhe dronë.
Wadephul-i, së bashku me ministrin izraelit Gideon Saar, vizitoi vendin e goditur në Beit Shemesh pranë Jeruzalemit, ku një raketë iraniane ra javën e kaluar. Atje, 9 persona u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën në një lagje banimi. Disa shtëpi u shkatërruan pothuajse plotësisht.
Mes rrënojave, ministri gjerman dëgjoi dëshmitë e dy grave. Njëra, Smadar, tregoi se si shtëpia dhe streha e saj u goditën nga raketat balistike. Ajo shpëtoi fëmijët, por i shoqi u vra. “Gjithçka ra mbi ne. Ishte errësirë, nuk merrnim dot frymë”, rrëfeu ajo. Sulmi shkatërroi gjithashtu kujtimet, fotot dhe sendet personale.
Deri tani, 13 persona kanë vdekur në Izrael nga sulmet me raketa, kryesisht nga Irani. Ministria izraelite e Shëndetësisë raporton se më shumë se 2.300 persona janë trajtuar në spitale. Kjo shifër përfshin të plagosurit nga raketat, ata të lënduar gjatë rrugës për në strehimore si dhe raste ankthi të lidhura me sulmet.
Wadephul-i është përfaqësuesi i parë i një qeverie perëndimore që viziton zonën e prekur nga lufta pas sulmeve të fundit.