Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim këtë të enjte me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Gjatë takimit u bisedua hapur për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në një postim në platformën X, ministri Hoxha theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar plotësisht për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon. Institucionet shqiptare do të ndjekin me vëmendje situatën atje dhe do të angazhohen vazhdimisht, si në dialogun dypalësh ashtu edhe në forumet ndërkombëtare, për të promovuar të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, adresuar çështjet shqetësuese dhe nxitur politika që garantojnë barazi, respekt e mundësi të drejta.
Ministri nënvizoi se respektimi i të drejtave të njeriut, identitetit kombëtar, gjuhës dhe përfaqësimit institucional të drejtë është thelbësor për një shoqëri demokratike e gjithëpërfshirëse. Mbështetja për zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet prioritet i rëndësishëm.
Shqipëria do të punojë ngushtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar barazi, dinjitet dhe perspektivë për ta.