Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi mëngjesin e së shtunës, 7 mars 2026, një takim me ambasadorin e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Fokusi i bisedës ishte zhvillimet e fundit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së, si dhe përgatitjet për vizitën e parë zyrtare të Hoxhës jashtë vendit në cilësinë e ministrit.
Ministri Hoxha shkroi në rrjetin social X se perspektiva evropiane mbetet drejtimi kryesor strategjik i politikës së jashtme shqiptare. Në postimin e tij, ai shpjegoi:
"Kur bëhet fjalë për çështjet europiane dhe bashkëpunimin me partnerët europianë, nuk ka fundjava, vetëm ditë. Nuk kishte mënyrë më të mirë për të kaluar një mëngjes të shtune sesa takimi me Ambasadorin Gonzato për të diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhënien tonë gjithnjë e më të afërt dhe më të fortë, duke përfshirë përgatitjet për vizitën time të parë zyrtare jashtë vendit në cilësinë aktuale të Ministrit të Jashtëm. Nuk ka nevojë të hamendësosh destinacionin. Për Shqipërinë, të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel – në Bashkimin Europian".
Ferit Hoxha mori detyrën zyrtarisht më 6 mars 2026, pas betimit para Presidentit Bajram Begaj. Ai pason në këtë post Elisa Spiropalin. Në ditën e parë të mandatit, Hoxha mblodhi gjithashtu Shtabin e posaçëm për masat e sigurisë ndaj shqiptarëve në vendet e Lindjes së Mesme.