Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, duke e cilësuar atë si një "gjarpër" që ka manipuluar qeverinë amerikane për ta përfshirë në konfliktin e hapur kundër Iranit. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Araghchi u shpreh se kryeministri izraelit është mburrur në deklaratat e tij në gjuhën hebraike për aftësinë e tij për të ndikuar vendimmarrjen në Uashington në favor të interesave të Izraelit.
Sipas kryediplomatit iranian, ndërsa në deklaratat e dhëna në gjuhën angleze Netanyahu ka vlerësuar drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump, në komunikimet e brendshme ai ka shfaqur një qëndrim tjetër. Ai pretendoi se ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në shtyrjen e Shteteve të Bashkuara drejt luftës përmes paraqitjeve mediatike dhe trysnisë politike. Aktualisht, negociatat për zgjidhjen e konfliktit mes palëve janë pezulluar, ndërkohë që administrata amerikane ka intensifikuar sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.
Ky përshkallëzim vjen pas ndërhyrjeve të përbashkëta ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit, të cilat filluan më 28 shkurt. Kjo luftë, përveç mijëra viktimave, ka shkaktuar pasoja të rënda dhe të gjera për ekonominë në shkallë globale.