Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari më 23 shkurt 2026, me ftesë të homologut hungarez Kristóf Szalay-Bobrovniczky. Vizita nisi me një pritje solemne në Sheshin e Heronjve në Budapest.
Ceremonia, me simbolikë të veçantë historike, shërbeu si moment reflektimi dhe nderimi për sakrificën e forcave të armatosura shqiptare dhe hungareze. Ajo shërbeu po ashtu si dëshmi e vlerave të përbashkëta që lidhin dy vendet, si liria, paqja dhe siguria kolektive.
Gjatë vizitës u theksua angazhimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Hungarisë në kuadër të Aleancës, si dhe bashkëpunimi konkret i trupave të dy vendeve, të cilat shërbejnë krah për krah në misione ndërkombëtare kyçe, përfshirë KFOR-in dhe EUFOR-in në Bosnje e Hercegovinë.
Vizita konfirmoi vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në funksion të stabilitetit rajonal dhe euroatlantik.