Ministria e Bujqësisë do të prezantojë brenda muajit shkurt skemën kombëtare të mbështetjes ndaj fermerëve, me një buxhet prej 5.2 miliard lekë për vitin 2026.
Ministri Andis Salla, në intervistën për emisionin E-ZONE në Vizion Plus, tha se skema përfshin dy risi kryesore. Sipas tij, në turet me fermerët është kërkuar më shumë mbështetje për degën e blegtorisë. Prandaj, skema parashikon mbështetje financiare deri në 10 mijë euro për çdo të ri që investon në këtë fushë. Gjithashtu, do të rritet masa e mbështetjes për blegtorët e skemës kombëtare.
Masa e dytë lidhet me mbrojtjen biologjike. Ministria do të mbështesë fermerët që prodhojnë në mënyrë biologjike produktet e tyre, pa përdorur pesticide. Masat dhe shumat e mbështetjes janë në fazën finale të diskutimeve.
Një çështje e debatuar me fermerët ka qenë skema e naftës pa taksa në bujqësi. Kjo skemë ka pasur devijime, duke mos arritur mbështetjen te fermeri që punon tokën. Ministri Salla tha se janë në fazën finale të rikonceptimit të saj, për të kapërcyer vështirësitë me pronësinë dhe për ta drejtuar naftën te punuesi i tokës.
Ministri siguroi se brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti do të hapen fondet e programit IPARD 3. Këto fonde ofrojnë 112 milion euro shtesë për fermerët. Fondet kanë mbetur të bllokuara për rreth tre vjet për shkak të keqpërdorimeve dhe korrupsionit.