Klubi suedez Mjällby AIF ka shënuar një arritje historike duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës së një kompeticioni evropian për herë të parë. Kualifikimi u vulos pas barazimit pa gola në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve kundër Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, pasi skuadra suedeze kishte fituar takimin e parë me shifrat 3-0. Ky sukses i garanton ekipit të paktën një vend në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.
Origjina dhe zhvillimi i klubit
Klubi vjen nga Hällevik, një fshat në jug të Suedisë me rreth 1,500 banorë, që bën pjesë në bashkinë e Sölvesborgut. Edhe pse emri i tij lidhet me fshatin fqinj Mjällby, ndeshjet si vendas skuadra i luan në stadiumin Strandvallen, i cili ka një kapacitet prej 6,000 vendesh dhe ndodhet pranë brigjeve të Detit Baltik. I themeluar në vitin 1939, klubi ka kaluar një rrugëtim të vështirë, duke luajtur në divizionin e tretë midis viteve 2015 dhe 2018, ndërsa në vitin 2016 ishte pranë falimentimit.
Modeli i suksesit
Suksesi i tanishëm është arritur pa pasur buxhete të mëdha. Sipas Transfermarkt, vlera e organikës së Mjällby AIF llogaritet në 25.8 milionë euro, duke u renditur e pesta për nga vlera në elitën suedeze. Lojtari më i vlerësuar është Elliot Stroud, me një vlerë tregu prej 8 milionë eurosh, i cili është në prag të një transferimi te klubi anglez Hull City.
Struktura e ekipit bazohet në një punë të specializuar të zbulimit të talenteve. Skauti Arvid Franzen, i cili punon edhe si postier, ka luajtur rol kyç në identifikimin e lojtarëve. Gjithashtu, në zhvillimin e ekipit ka kontribuar studiuesi norvegjez Karl Marius Aksum, i cili zotëron një doktoraturë në fushën e perceptimit pamor në futboll. Në raundin e ardhshëm kualifikues të Ligës së Kampionëve, Mjällby AIF do të përballet me fituesin e duelit midis Slovan Bratislavës dhe Iberia 1999.