Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), deklaroi se Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është servil i Albin Kurtit.
Gjatë një aksioni simbolik para selisë së LDK-së më 26 shkurt 2026, Molliqaj tha se Abdixhiku dhe Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), po i shërbejnë hegjemonisë së Kurtit në çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ai i cilësoi të dy liderët me qasje naive dhe të motivuar nga interesa të ngushta. «Ne duhet të jemi këmbëngulës për t’i mbajtur përgjegjës. Nuk është çështje e një emri të presidentit, çështja është se kjo i shërben këtij pushteti. Pas pesë vitesh mbërrijmë në pikën kur do të flasim për dëmet që shkaktohen», u shpreh Molliqaj.
Molliqaj theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. «Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, e jo t’ia zgjedhin Kurtit presidentin. Populli i Kosovës nuk ia ka dhënë 80 deputetë Albin Kurtit për t’i zgjedhur presidentin. Populli ia ka dhënë 51% për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. Le t’ia japë populli. Pse po ia jep ti në emër të popullit», deklaroi ai.