Analisti politik Shenoll Muharremi ka deklaruar se Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri krize institucionale, nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit kushtetues të 4-5 mars.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po manifeston një model qeverisjeje të mbështetur në institucione me ushtrues detyre, duke e bërë krizën pjesë të zakonshme të funksionimit. Ai e përshkruan këtë si një qeverisje me deficit legjitimiteti demokratik, formalisht ligjore, por politikisht të brishtë.
Muharremi thekson mungesën e urgjencës reale për zgjedhjen e Presidentit. Bisedimet mes partive politike i cilëson sipërfaqësore dhe pothuajse të kolapsuara. Takimet mes LVV-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk priten të vazhdojnë, ndërsa takimi i fundit mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vështirë se do të prodhojë marrëveshje.
Ai paralajmëron një skenar ku Presidentja përfundon mandatin dhe vendi kalon në ushtrues detyre, situatë që është parë edhe më herët në Kosovë. Sipas Muharremit, nëse do të kishte vullnet real nga Albin Kurti dhe LVV për konsensus, marrëveshja do të ishte e arritshme, pasi nuk kërkon matematikë të komplikuar, por vetëm vullnet dhe vendosmëri.
Formulën e propozuar në takimet e fundit – secila parti të propozojë nga një kandidat – e sheh si shenjë mungese pajtimi, që pamundëson sigurimin e shumicës së nevojshme. "Pa pajtim nuk ka shumicë. E pa shumicë, nuk ka president në afat", ka thënë ai.
Situata aktuale, sipas analistit, duket si realizim gradual i idesë së LVV-së për kontroll të plotë institucional. Kjo parti kontrollon shumicën parlamentare dhe qeverinë, ndërsa Presidenca shihet si hallka e fundit. Nëse jo me konsensus, atëherë me zgjatje teknike dhe ushtrues detyre, me mandate ligjore, por me deficit legjitimiteti.