Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nuk u zhvillua më 13 tetor, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 6 anëtarë. Numri i tyre nuk mjaftoi për kuorumin e nevojshëm për miratimin e pikave të rendit të ditës.
Takimi nisi me 35 minuta vonesë. Anëtarët pritën ardhjen e kolegëve të tjerë, por kuorumi nuk u arrit.
Kryetari i komisionit, Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, u kërkoi anëtarëve që në mbledhjet e ardhshme të respektojnë orarin dhe të mos vonohen. Ai kujtoi se deputetët e tjerë kanë mbledhje edhe në komisione të tjera.
Mustafa tha se anëtarët ishin pajtuar që mbledhja të mbahej të martën në orën 10:00, dhe kërkoi që ky orar të respektohet. Ai iu drejtua deputetëve pasi takimi kishte nisur rreth 35 minuta pas kohës së caktuar.
Në deklaratën e tij, Mustafa tha: “Ju kisha lutë kolegëve deputetë që ta respektoni kohën, për cilën pajtohemi për shkak se jemi me diku 35 minuta vonesë. Deputetët tjerë kanë mbledhje në komisione të tjera, kështu që ju kisha lutë për herë të ardhshme që ta respektojmë kohën për cilën jemi pajtuar bashkërisht. Kemi lënë të martën në orën 10:00 edhe ta respektojmë këtë kohë”.