Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi më 27 tetor se është iniciuar themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Komisioni do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e zinxhirit institucional përgjegjës për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së saj.
Sipas Nagavcit, hetimi do të përfshijë mënyrën si janë trajtuar denoncimet dhe paralajmërimet, vlerësimin e rrezikut dhe zbatimin e urdhrave të mbrojtjes. Në shqyrtim do të jenë edhe veprimet e Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Komisioni parashihet të ketë mandat gjashtëmujor. Brenda 60 ditëve nga themelimi, ai pritet t’i paraqesë Kuvendit një raport të përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm. Hetimi do të përfshijë gjithashtu funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
Nagavci tha se komisioni duhet të sqarojë se kush kishte detyrimin të vepronte, çfarë veprimesh u ndërmorën dhe ku mund të ketë dështuar mbrojtja institucionale. Ajo kërkoi shqyrtimin e rasteve të mundshme të neglizhencës, vonesave ose mosveprimit.
Në postimin e saj, Nagavci tha se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj. Ajo theksoi se rasti kërkon përgjigje dhe llogaridhënie institucionale.
Sipas Nagavcit, në bazë të gjetjeve do të kërkohen masa konkrete, adresimi i përgjegjësive te organet kompetente dhe përmirësimi i mekanizmave për mbrojtjen e viktimave të dhunës.