Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se nuk ekziston unitet politik për mbështetjen e Vjosa Osmanit si kandidate konsensuale për presidente të Kosovës. Në një prononcim për "Radio Dukagjinin", ajo nënvizoi se një figurë konsensuale duhet të vijë nga jashtë skenës aktuale politike.
Nagavci vlerësoi se zhvillimet e fundit tregojnë mungesë të pajtueshmërisë së gjerë për këtë çështje. Ajo shtoi se ka ende hapësirë për diskutime, me qëllim që vendit t'i ofrohet një zgjidhje institucionale. "Është mirë që të respektohet edhe vullneti i qytetarëve, krahas përgjegjësive që na kanë besuar në zgjedhjet e qershorit", u shpreh ajo.
Ndonëse bëri me dije se Lëvizja Vetëvendosje ka emra të përshtatshëm për këtë pozitë, Nagavci theksoi se emri përfundimtar duhet të jetë rezultat i negociatave dhe marrëveshjeve mes subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Sipas saj, procesi kërkon një pajtueshmëri të plotë të deputetëve që do të marrin pjesë në votim, ndërkohë që deri më tani nuk është arritur një marrëveshje konkrete.