E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, u shpreh mbi klimën e investimeve në Shqipëri gjatë prezantimit të mekanizmit të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte. Mesazhi i saj theksoi nevojën për qartësi ligjore dhe zbatim të qëndrueshëm, në një periudhë kur opinioni publik është i përqendruar te projekti prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, i cili ka shkaktuar protesta që vijojnë prej 16 ditësh.
VanHorn rikujtoi politikën e investimeve të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke vënë në dukje se mirëpritja e investimeve që nxisin rritjen ekonomike duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sektorëve strategjikë. Ajo nënvizoi se qasja e Shqipërisë në këtë drejtim përputhet me parimet amerikane, por theksoi se suksesi varet nga zbatimi i ligjit dhe jo vetëm nga miratimi i tij.
Sipas VanHorn, investitorët amerikanë, të cilët janë aktualisht të pranishëm në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe teknologjisë, po ndjekin me vëmendje zhvillimet e biznesit në vend. Ajo deklaroi se ekziston një interes në rritje, por kusht kryesor për tërheqjen e kapitalit afatgjatë mbetet krijimi i një klime ku rregullat janë të qarta, fusha e lojës është e barabartë dhe sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk ndjekin praktikat standarde.
Ambasada Amerikane ka konfirmuar vijimin e bashkëpunimit me ministren Ibrahimaj dhe institucionet përkatëse për të mundësuar funksionimin e këtij kuadri rregullator, me qëllim krijimin e një mjedisi të parashikueshëm për të gjithë aktorët ekonomikë.