Asambleja Parlamentare e NATO-s tha se përmirësimi i sigurisë në Kosovë duhet të shërbejë si shtysë për përparim të mëtejshëm politik, forcimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e besimit ndërmjet komuniteteve. Përfundimet u paraqitën në raportin e publikuar të martën, pas misionit faktmbledhës të delegacionit në Prishtinë më 28 dhe 29 tetor.
Raporti vlerëson se situata e sigurisë është përmirësuar, por tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë. Delegacioni i Komitetit Politik të Asamblesë diskutoi me përfaqësues të institucioneve të Kosovës synimet për thellimin e integrimit euroatlantik dhe rritjen e kontributit në sigurinë rajonale dhe atë të aleatëve.
Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë paraqitën prioritetet strategjike të vendit, përfshirë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, prokurimin e pajisjeve dhe rekrutimin e personelit. Ata folën gjithashtu për përmirësimin e trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ndërveprueshmërisë së saj me forcat aleate. Udhëheqësit e Kosovës ritheksuan se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik dhe nënvizuan mbështetjen politike e praktike të vendit për Ukrainën. Sipas raportit, gjatë diskutimeve u shpreh konsensus i gjerë politik dhe shoqëror në favor të anëtarësimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Aleancën.
Delegacioni shqyrtoi rolin e NATO-s në Kosovë dhe vizitoi selinë e KFOR-it. Raporti e cilëson KFOR-in thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. NATO-ja ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit dhe pranisë së KFOR-it, në përputhje me ndryshimet në terren, por ruan mundësinë për ta përshtatur praninë e forcave nëse situata e sigurisë përkeqësohet.
Parlamentarët theksuan se përparimi në fushën e sigurisë dhe ai politik duhet të ecin paralelisht. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u cilësua si element kyç për stabilitetin e qëndrueshëm rajonal. Raporti nënvizon rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve dhe zbatimit të zotimeve ekzistuese në të ardhmen e afërt.
Sipas delegacionit, Kosova ka mundësi të avancojë reformat politike, të forcojë institucionet demokratike dhe të afrohet më shumë me synimin e saj për integrim euroatlantik. Prioritetet e tjera të përmendura përfshijnë sundimin e ligjit, mbikëqyrjen parlamentare, llogaridhënien institucionale dhe rritjen e besimit te komunitetet joshumicë. Këto synime kërkojnë mbrojtjen efektive të të drejtave gjuhësore dhe pronësore, pjesëmarrjen politike dhe qasjen në shërbimet publike.
Në delegacion morën pjesë përfaqësues të Nënkomitetit për Marrëdhëniet Transatlantike (PCTR) dhe të Nënkomitetit për Partneritetet e NATO-s (CPNP). Gjatë vizitës, ata u takuan me kryeministrin, ministra të kabinetit qeveritar, udhëheqës të grupeve parlamentare nga partitë në pushtet dhe opozitë, përfaqësues të komuniteteve joshumicë, si dhe përfaqësues të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it. Në takime morën pjesë edhe ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.