Dy shtetas shqiptarë, të moshave 25 dhe 26 vjeç, u ndaluan nga autoritetet italiane pas një ndjekjeje të rrezikshme me automjet në zonën midis San Mauro Mare dhe Bellaria Igea Marina. Ngjarja nisi kur efektivët e Policisë, të cilët kishin nën vëzhgim një automjet tip Peugeot 208 për dyshime mbi shpërndarjen e lëndëve narkotike, i kërkuan drejtuesit të ndalonte për një kontroll.
Në vend që të zbatonte urdhrin e policisë, shoferi 25-vjeçar shtoi shpejtësinë, duke nisur një ndjekje nëpër rrugët e mbushura me pushues. Sipas autoriteteve, mënyra e drejtimit ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, duke detyruar shumë kalimtarë të largoheshin me vrap për të shmangur përplasjen. Një grua shtatzënë arriti të shpëtonte vetëm duke nxitur hapat për të kaluar vijat e bardha në kohë.
Pak para se të bllokoheshin nga një ndërhyrje e koordinuar e disa patrullave të Policisë së Shtetit, pasagjeri në automjet hodhi nga dritarja një qese të zezë plastike. Megjithëse policia e gjeti pakon, përmbajtja e saj kishte përfunduar në një kanal kullues dhe nuk mundi të rikuperohej. Pas kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan dy shkopinj rreth një metër të gjatë, të cilët ishin të mprehur.
Të dy të rinjtë u proceduan për posedim të mjeteve të mprehta. Shoferi, përveç mosbindjes ndaj urdhrit të policisë dhe drejtimit të rrezikshëm, rezultoi se qëndronte në Itali në mënyrë të parregullt, pasi i ishte refuzuar më herët rinovimi i lejes së qëndrimit. Autoritetet i kanë sekuestruar automjetin, patentën dhe dokumentet e mjetit, ndërsa kanë nisur procedurat për dëbimin e tij.