Në përvjetorin e dytë të vdekjes së aktivistit rus Alexei Navalny, të ndodhur më 16 shkurt 2024 në një burg në Siberi, nëna e tij Lyudmila Navalnaya vizitoi varrin në Moskë dhe deklaroi se gjetjet për helmim vërtetojnë bindjen e saj se i biri u vra.
"Kjo konfirmon atë që e dinim që nga fillimi. Ne e dinim se djali ynë nuk vdiq thjesht në burg, ai u vra", tha ajo, sipas BBC-së. Gjurmë të epibatidinës, një toksine vdekjeprurëse e nxjerrë nga bretkosa shigjetë (Epipedobates tricolor) e Amerikës së Jugut, u zbuluan në mostra nga trupi i tij.
Të shtunën, Mbretëria e Bashkuar dhe katër aleatë europianë publikuan një deklaratë të përbashkët, ku thanë se Navalny u vra me këtë helm dhe se "vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për ta përdorur". Ai po vuante një dënim 19-vjeçar për akuza ekstremizmi në një koloni penale në veri të Arktikut.
Rusia i ka refuzuar me vendosmëri akuzat. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi: "Sigurisht, ne nuk i pranojmë akuza të tilla. I konsiderojmë të njëanshme dhe të pabaza. I hedhim poshtë me vendosmëri".
E veja Yulia Navalnaya përkujtoi dyvjetorin në rrjetet sociale: "Ne kemi arritur të vërtetën dhe do të arrijmë edhe drejtësinë një ditë". Ajo ka thënë më parë se analiza e mostrave biologjike nga laboratorë në dy vende tregojnë se bashkëshorti i saj u vra.
Në varrezat Borisovskoye në Moskë, dhjetëra qytetarë dhe diplomatë të huaj vendosën lule në varrin e tij, me mesazhe si "Aleksej, të kujtojmë çdo ditë".