Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka bërë të ditur se përfaqësuesi i kësaj partie në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të propozohet dhe do të zgjidhet gjatë seancës së të hënës. Deklarata është dhënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Sipas Tahirit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe partia do të veprojnë në frymën e unifikimit për të garantuar miratimin e një projektligji të rëndësishëm në Kuvend. Qëllimi i këtyre përpjekjeve është sigurimi i mbështetjes së nevojshme parlamentare për të kundërshtuar atë që partia e konsideron si një padrejtësi historike të bërë ndaj saj.
“Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës do të propozohet dhe do të zgjidhet të hënën. Zotëri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës do t’i bëjnë të gjitha veprimet e tyre në frymën e unifikimit, në mënyrë që projektligji ta gjejë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe t’i themi jo kësaj padrejtësie historike që është bërë”, ka deklaruar Tahiri.