Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, deklaroi se lufta kundër Iranit do të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, ndërsa situata në terren përshkallëzohet.
Që nga 19 marsit 2026, Irani ka intensifikuar sulmet balistike ndaj qyteteve izraelite, duke goditur zona të populluara si Jerusalemi dhe Haifa. Sulmet kanë shkaktuar dëme materiale, por pa viktima njerëzore. Për herë të parë, një raketë iraniane goditi rafineritë Bazan në Haifa, duke shkaktuar zjarr. Autoritetet izraelite kanë siguruar se nuk ka rrezik për shëndetin publik nga substancat kimike.
Ky intensifikim erdhi pas bombardimeve izraelite ndaj fushës së gazit South Pars, një nga burimet kryesore energjetike të Iranit. Sipas burimeve, Teherani po shqyrton goditjen e platformave energjetike në Gjirin Persik dhe Mesdhe.
Netanyahu vlerësoi se Irani është dobësuar ndjeshëm ushtarakisht, me kapacitetet për prodhimin e raketave dhe pasurimin e uraniumit të reduktuara. Ai dha mesazhe të ndryshme për kohëzgjatjen e konfliktit: për mediat vendase, lufta do të zgjasë sa të jetë e nevojshme, ndërsa për mediat ndërkombëtare, ajo mund të përfundojë më shpejt se sa pritet.
Ndërkohë, Izraeli vazhdon goditjet ndaj zyrtarëve iranianë. Mediat iraniane raportojnë se në një sulm ajror është vrarë Ali Mohammad Naini, zëdhënësi i Gardës Revolucionare. Ky lajm është konfirmuar edhe nga ushtria izraelite.