Pas tri dekadash hetimesh, ka nisur në Las Vegas gjyqi ndaj Duane “Keffe D” Davis, ish-drejtues i bandës South Side Compton Crips, i cili akuzohet për vrasjen e reperit legjendar Tupac Shakur. Ngjarja ndodhi më 7 shtator 1996, kur reperi u qëllua për vdekje nga një makinë tip Cadillac e bardhë, pak kohë pasi kishte ndjekur një ndeshje boksi të Mike Tyson në kazinonë MGM Grand.
Sipas prokurorisë, vrasja erdhi si pasojë e një përleshjeje që Tupac Shakur dhe Marion “Suge” Knight, themeluesi i Death Row Records, patën me nipin e Davis, Orlando “Baby Lane” Anderson. Akuza pretendon se Davis organizoi sulmin hakmarrës dhe siguroi armën e përdorur në krim. Nëse shpallet fajtor, Davis përballet me dënimin me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Çështja është rikthyer në vëmendje pas publikimit të kujtimeve të Davis në vitin 2019, ku ai rrëfeu për përfshirjen e tij në ngjarje. Mbrojtja e të akuzuarit, i cili është deklaruar i pafajshëm, pretendon se libri është pjesërisht trillim. Procesi gjyqësor pritet të hedhë dritë mbi konfliktet e ashpra të viteve '90 midis Death Row Records dhe Bad Boy Records, si dhe mbi rivalitetin e përgjakshëm midis bandave Bloods dhe Crips.
Për këtë proces, prokuroria ka përgatitur një listë me mbi 200 dëshmitarë. Përzgjedhja e jurisë filloi këtë të hënë, ndërsa argumentet hapëse janë parashikuar të nisin më 17 gusht.