Një person mashkull u gjet pa shenja jete në një automjet në Veternik të Prishtinës pasditen e së mërkurës, rreth orës 15:00.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana, konfirmoi se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur hetimin mbi shkaqet e vdekjes dhe po kryen veprimet e nevojshme hetimore e ekzaminuese për sqarimin e rrethanave.
“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në një automjet në Veternik të Prishtinës. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi Enis Pllana.
Disa media raportojnë dyshime për vetëvrasje, por Policia nuk ka dhënë ende konfirmim zyrtar për shkakun e vdekjes. Hetimet janë në zhvillim.
Përditësime
Policia e Kosovës e identifikoi viktimën si Hekuran Hoxha nga Gjakova, kandidat për deputet i AAK-së në zgjedhjet e fundit.