Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në emisionin Off the Record me Andrea Danglli, tha se deputeti Ervin Salianji ka kaluar disa vija të kuqe. Sipas tij, PD nuk do të lejojë kurrë që elementë të krimit të organizuar të kenë ndikim në parti.
Noka shpjegoi se PD është e vetmja forcë politike që ka sanksionuar fraksionin sipas modelit europian. "Kush kërkon të krijojë një fraksion, të vijë. Nuk e kemi shpikur ne fraksionet, ne i marrim dhe i zbatojmë. Nuk duhet të jesh individ që të kesh fraksion. Duhet të kesh një ekip, një grup njerëzish nga qendra në bazë që ti i përfaqësosh, qoftë 1%, 2%. Por, kur agjenda jote dirigjohet nga të tjerë dhe nuk përkon me agjendën politike të forcës politike ku ti pretendon se aderon, këtu duhen parë disa gjëra, sepse nga demokraci kthehemi në anarki, ku të kontrollojë kundërshtari lëvizjet dhe aktivitetin politik", u shpreh Noka.
Ai përmendi se personazhe të botës së krimit duan të kenë ndikim në PD, pasi nuhasin ndryshimet politike. "Tërmetin e nuhasin minjtë të parët dhe ndryshimet e mëdha politike i nuhasin kriminelët përpara se t'i nuhasin politikanët. Tani, ata që kontrollojnë gjithçka te PS dhe qeveria, duan të kenë ndikimin e tyre këtu. Jo, PD-ja ka një vit të kuq. Po kartelet e kuqe. Ergysi apo Sueli nuk kanë për të pasur kurrë as ndikim dhe as akses në PD. Kjo është vija e kuqe", shtoi ai.