Numri i shtetasve të huaj që jetojnë në Shqipëri ka shënuar një nivel rekord, duke arritur në 38,712 leje qëndrimi aktive deri në fund të qershorit të vitit 2026. Të dhënat zyrtare tregojnë se punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit, pasi 22,693 leje janë lëshuar si leje unike për punëmarrës ose vetëpunësim, çka përfaqëson 59% të totalit.
Shpërndarja sipas shtetësisë
Shtetasit nga Kosova kryesojnë listën me 7,302 leje ose rreth 19% të totalit, të ndjekur nga shtetasit italianë me 4,332 leje (11%). Gjithashtu, një prani e konsiderueshme është regjistruar nga shtetasit e këtyre vendeve:
• India: 3,882 leje (10%)
• Filipinet: 3,638 leje (9.3%)
• Egjipti: 3,441 leje (8%)
Lidhur me punësimin, shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti dominojnë sektorin me 10,258 leje unike, duke përbërë rreth gjysmën e totalit të të huajve të punësuar në Shqipëri.
Kategoritë e tjera të lejeve
Pas punësimit, bashkimi familjar është motivi i dytë më i shpeshtë, me 7,124 leje aktive ose 18% të totalit. Ky segment dominohet nga shtetasit e Kosovës me 2,978 leje, pasuar nga italianët me 783 leje dhe shtetasit turq me 518 leje.
Ndërkaq, lejet për studime janë të kufizuara në 1,261 leje (3% të totalit). Në këtë kategori, shtetasit italianë zënë vendin e parë me 462 leje (37%), ndërsa shtetasit indianë janë të dytët me 426 leje (34%). Për sa i përket lejeve me motiv humanitar, numri më i madh i takon shtetasve të Iranit, me 2,440 raste të regjistruara.