Oborri Mbretëror Shqiptar dhe Princ Leka shprehën mbështetje për studentët shqiptarë dhe të drejtën e tyre për të protestuar, duke kërkuar hetimin e denoncimeve për keqtrajtim të të rinjve dhe të miturve nga efektivët e policisë. Në reagim dënohen gjithashtu dhuna dhe dëmtimi i pronës private gjatë protestave të ditëve të fundit.
Oborri Mbretëror tha se ka ndjekur me kujdes aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtim të të rinjve dhe të miturve në rrugë, në furgonët e policisë dhe në komisariate, si dhe shprehu shqetësim për sigurinë e tyre. Sipas deklaratës, veprimet janë dokumentuar me video dhe fotografi. Institucioneve përkatëse u kërkohet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.
Deklarata i bën thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Sipas Oborrit Mbretëror, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme, thuhet në reagim, duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.
Studentët nxiten t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke njoftuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi e përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë gjatë protestave. Deklarata thekson se zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.
Në të njëjtën kohë, Oborri Mbretëror thotë se protestat paqësore duhet të shoqërohen me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private cilësohen të papranueshme dhe si veprime që cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë. Reagimi përfundon me thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore, si dhe me theksin se e ardhmja e të rinjve shqiptarë duhet të mbrohet.