Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në Velani, në 20-vjetorin e vdekjes së tij. Në ceremoninë, të organizuar nën patronatin e saj, morën pjesë bashkëshortja Fana Rugova, anëtarë të familjes Rugova si dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it të akredituar në Kosovë.
Pas vendosjes së kurorave me lule, Osmani deklaroi se Rugova është ati themeltar i Republikës së Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë. Ajo tha se ai i dha gjithçka Republikës dhe ndërtoi vizionin për brezat e ardhshëm. "Presidenti Rugova bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci, kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët strategjikë brenda familjes euroatlantike", u shpreh ajo. Osmani shtoi se vizioni i Rugovës mbetet dritë udhërrëfyese për forcimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, ndërsa nderimi për të do të jetë i përjetshëm.
Bashkëshortja e ish-presidentit, Fana Rugova, falënderoi Osmanin për organizimin e ceremonisë. "E falënderoj shumë presidenten Osmani për këtë ceremoni që realizoi për nder të presidentit historik të Kosovës, Rugova. Faleminderit shumë, zonja Presidente, për të gjitha këto aktivitete", deklaroi ajo.
Përditësime
Ukë Rugova, biri i Ibrahim Rugovës, dhe ngarkuata me punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, kanë bërë homazhe në varrin e tij në 20-vjetorin e vdekjes.
Pas homazheve mbahet Akademia Përkujtimore në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë.
Rugova vdiq më 21 janar 2006, në moshën 62-vjeçare.
Vjosa Osmani postoi në Facebook një mesazh përkujtimor për Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes së tij. Ajo e quajti atë 'simbol i paqes dhe i lirisë', duke theksuar udhëheqjen e tij drejt lirisë dhe pavarësisë.