Papa Leoni XIV ka dalë me një paralajmërim për besimtarët, veçanërisht burrat, në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimeve Sociale, të publikuar më 28 janar 2026.
Ai i ka ftuar të jenë të kujdesshëm ndaj lidhjeve virtuale me chatbotë të inteligjencës artificiale, të cilat i ka përshkruar si “tepër të përkëdhelura”. Sipas tij, këto lidhje mund të ndikojnë në gjendjen emocionale të individëve, të pushtojnë intimitetin personal dhe të dëmtojnë strukturën sociale, kulturore e politike të shoqërisë.
Në botën digjitale, Papa thekson vështirësinë për të dalluar komunikimin me njerëz realë nga ai me robotë. Ai ka nxjerrë në pah rëndësinë e ruajtjes së zërave dhe fytyrave njerëzore, duke deklaruar se “fytyrat dhe zërat janë të shenjtë” dhe se teknologjia rrezikon themelet e qytetërimit njerëzor.
Papa Leoni XIV pranon se chatbotët mund të jenë argëtues, por i konsideron mashtrues, sidomos për personat më të pambrojtur, pasi janë gjithmonë të pranishëm dhe emocionalisht tërheqës. Pa marrëdhënie reale, nuk mund të ketë miqësi apo lidhje të vërteta.
Ai ka kritikuar gjithashtu algoritmet e rrjeteve sociale, të cilat favorizojnë emocionet e shpejta, dëmtojnë mendimin kritik dhe rrisin polarizimin shoqëror.
Megjithatë, Papa thekson se inovacioni digjital nuk duhet ndaluar, por drejtuar me kujdes, duke qenë të vetëdijshëm për natyrën e tij të dyfishtë.
Ky nuk është paralajmërimi i parë nga Vatikani. Në vitin 2024, Papa Françesku kishte deklaruar se teknologjitë simuluese bëhen të rrezikshme kur shtrembërojnë marrëdhëniet me realitetin dhe njëri-tjetrin, duke kërkuar rregullim më të madh të inteligjencës artificiale.