Kongresisti amerikan Don Bacon, republikan në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, ka paralajmëruar se pasiguria që vjen nga Uashingtoni rrezikon të inkurajojë kundërshtarët, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Kinën. Ai foli për Radion Evropa e Lirë teksa Pentagoni zbuloi planet për të zvogëluar numrin e Brigadave Luftarake amerikane të vendosura në Evropë nga katër në tri, duke shtyrë një dislokim të planifikuar në Poloni.
Bacon tha se rishikimi i trupave pasqyron një debat më të gjerë për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara po përballen me sfidat aktuale nga Rusia, Kina, Irani dhe grupet ekstremiste. Ai argumentoi se paqartësia është e rrezikshme dhe se Uashingtoni me aleatët e tij nuk mund të përballojnë mungesën e qartësisë strategjike.
Bacon përshkroi tri zona problematike: luftën e Rusisë në Ukrainë, presionin e Kinës ndaj Tajvanit dhe aktivitetet rajonale të Iranit. Ai shtoi se terrorizmi i lidhur me grupet ekstremiste si Al-Kaida dhe Shteti Islamik përbën një zonë të katërt shqetësimi.
I pyetur për bashkëpunimin mes Rusisë, Iranit dhe Kinës, Bacon tha se këta po punojnë së bashku, por janë shtete të izoluara. Megjithatë, ai theksoi se sistemi i aleancave demokratike i jep Perëndimit një avantazh strukturor.